Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me drejtësinë në Shqipëri. Në konferencën “Drejtësi në kohë sfidash”, ambasadorja Yuri Kim i ka kthyer përgjigje sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme, por nuk ka harruar as paraardhësin e tij në detyrë, Sali Berisha që dikur sulmonte ashpër ish-kryeprokuroren Ina Rama.
Në fjalën e saj, Yuri Kim iu përgjigj Ramës kur tha se politikanët nuk duhet të ankohen se drejtësia po “godet” vetëm nga ana e tyre. Por më e ashpër ishte me Berishën, duke rikujtuar sulmin e tij ndaj ish-kryeprokurores, Ina Rama. Kim tha edhe se do të quhet e tillë kjo reformë kur politikanë të mos e quajnë prokurorët atë apo këtë, ndërsa shtoi se populli do një drejtësi me sy të mbyllur dhe ligj të barabartë për të gjithë.
“Çfarë është drejtësia? Cili është qëllimi i reformës në drejtësi? Si do jetë Shqipëria kur reforma në drejtësi të nisë zbatimin? Do ta marrim vesh kur të jetë e suksesshme kur të mos ketë magjistratë të angazhuar në sjellje të keqe. Gjithashtu konsiderohet e suksesshme kur të mos mendojmë që është e përshtatshme që drejtuesit politikë në pushtet ose jo, ta quajnë prokurore këtë apo atë, të thonë që drejtësia nuk jepet kur ana ime futet në burg. Kjo nuk është drejtësi.
Këto nuk janë standarde që populli kërkon. Duhet drejtësi që i besohet me sy të verbër. Të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Duhet drejtësi që është e verbër. Ligji të jetë njësoj për të gjithë. Ata që ndiqen penalisht nuk duhet të ndodhë kur nuk janë më në pushtet, apo se janë të varfër. Nuk duhet të vazhdojmë me drejtësinë e të shkuarës. Drejtësia ka standarde.
Kërkesat e BE janë të qarta. Veprimet e SHBA përgjatë 31 viteve të fundit e kanë të qartë se mbështetja e SHBA është më e fortë se kurrë. Po aq të qarta janë dhe pritjet e njerëzve. Ju nxis që të veproni që të mos zhgënjeni. Krijoni një drejtësi që është me të vërtetë e verbër dhe e drejtë. Faleminderit shumë dhe shpresoj që të kem qenë e qartë”, nënvizoi në fjalën e saj ambasadorja Yuri Kim.
Çfarë ka thënë Sali Berisha për Ina Ramën?
Pas protestave të 21 janarit të vitit 2021, ku mbetën të vrarë 4 persona, Berisha asokohe si kryeministër nuk i kurseu akuzat. Sipas Berishës, ndaj tij po bëhej “puç shteti” pasi donin që ta largonin nga pushteti duke mos i kursyer akuzat ndaj ish-kryeparlamentares dhe presidentit të asokohe, Bamir Topit. “Ju garantoj se ata që flasin për ngjarje bulevardi nuk janë gjë tjetër më falni për shprehjen veçse horra e lavire bulevardi tregojnë se janë hienat e prapaskenës së puçit të rrugës për të cilin duhet të merreshin jetët e burrave fëmijëve e vëllezërve tuaj. Ata të cilët mendojnë se në strofullën ku janë do të mund të vazhdojnë këtë veprimtari i garantoj se i pret ai fund që meritojnë. Situata është tërësisht nën kontroll. Janë përpëlitjet e fundit të horrave e lavireve të bulevardit por janë përpëlitje të dështuara të mjera. Ato që i bëjnë nuk dinë ku do të fusin kokën nuk dinë se si do të shpëtojnë”, thoshte Berisha në atë kohë.
Çfarë tha Rama për SPAK?
Pas Kongresit të Partisë Socialiste, edhe në Asamblenë socialiste, kryeministri Edi Rama nuk është ndalur në sulme ndaj SPAK pasi pretendon se po godet vetëm nga një kah, duke nënkuptuar PS-në ndërsa shton se “non grata-t”, duke iu referuar Sali Berishës, ende nuk janë marrë në hetim. E po ashtu kërkoi edhe përballjen me drejtësinë të presidentit Ilir Meta, edhe pse për këtë të fundit nuk dha asnjë arsye se përse duhej që të merrej nën hetim. Megjithatë paralajmëroi SPAK-ut po i skadon koha që të provojë veten dhe durimit të socialistëve po i vjen fundi./gazetasot