Qeveria Iraniane ka reaguar për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit pas sulmeve kibernetike në vendin tonë.
Gjatë ditës së sotme kryeministri Edi Rama i la vetëm 24 orë kohë ambasadës iraniane për tu larguar nga vendi jonë, duke mbyllur marrdhëniet diplomatike. Ky vendim i qeverisë shqiptare mori mbështetjen ndërkombëtare.
Por qeveria e Iranit, me anë të një reagimi përmes Ministrit të Punëve të Jashtme, Nasser Ka’nani, ka hedhur pretendimet se akuzat e Shqipërisë janë të pabaza.
Ai tha se Ministria e Jashtme iraniane e konsideron “vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet politike me vendin tonë bazuar në pretendime të tilla të pabaza, një veprim të pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Sa i përket akuzës për sulm kibernetik, ministri i jashtëm e kundërshtoi me argumentin se Irani ka rënë pre dhe ka qenë objektiv i sulmeve kibernetike.
“Si një nga vendet që ka qenë objektiv i sulmeve kibernetike në infrastrukturën e saj kritike, Republika Islamike e Iranit kundërshton dhe dënon çdo përdorim të hapësirës kibernetike si mjet për të sulmuar infrastrukturën e vendeve të tjera”, tha ministri iranian.
Ai shtoi se vendet e treta që mbështesin terrorizmin kanë luajtur një rol kyç në vendimin e gabuar të Shqipërisë, duke ju referuar këtu Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Deklaratat e menjëhershme të regjimit të SHBA-së dhe Izraelit pas njoftimit të Shqipërisë tregojnë një komplot dhe fushatë të re kundër Iranit”, thuhet në njoftim.
Deklarata më tej theksoi strehimin e Shqipërisë për grupin e MEK dhe shpreh keqardhjen që Tirana është ndikuar në vendimet e saj të papërshtatshme nga palë të treta.