Thesari i Departamentit Amerikan të Shtetit ka njoftuar sot sanksionimin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, një degë e Forcave të Armatosura iraniane.
Korpusi është sanksionuar si aktor në sulme kibernetike.
Më konkretisht, Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka sanksionuar dhjetë individë dhe dy entitete për rolet e tyre në kryerjen e “akteve keqdashëse kibernetike, duke përfshirë aktivitetin e ransomware.”
Siç njofton DASH, sanksionimet e sotme janë pjesë e një aksioni të përbashkët me Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit, Byronë Federale të Hetimit, Komandën Kibernetike të SHBA, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës.
Individët dhe entitetet e përcaktuara sot janë të gjithë të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
“Ky aksion, vijon në serinë e përcaktimeve të OFAC që synojnë të mbrojnë shtetasit amerikanë nga aktiviteti i ransomware, lehtësuesit e aktivitetit të ransomware dhe krime të tjera kibernetike.”
Në njoftim theksohet se incidente “ransomware” kanë futur në kolaps shërbimet dhe bizneset me rëndësi kritike në rang global duke përfshirë këtu shkolla, zyra qeveritare, spitale dhe shërbimet e urgjencës, transportin, energjinë dhe kompanitë ushqimore.
Kështu, “të gjitha pronat dhe interesat në pronën e personave të caktuar, të përshkruar më sipër që janë në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim ose kontroll të shtetasve amerikanë janë bllokuar dhe duhet të raportohen në OFAC.
Gjithashtu, çdo subjekt që është në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, individualisht ose në total, 50 për qind ose më shumë nga një ose më shumë persona të bllokuar gjithashtu bllokohet.
Të gjitha transaksionet nga shtetas të SHBA-së ose brenda (ose tranzit) të Shteteve të Bashkuara që përfshijnë ndonjë pronë ose interes në pronën e personave të caktuar ose të sanksionuar ndryshe, janë të ndaluara, përveç nëse autorizohen nga një licencë e përgjithshme ose specifike e lëshuar nga OFAC, ose përjashtohen.
Ndalimet përfshijnë dhënien e çdo kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për, ose në dobi të çdo personi të bllokuar, ose marrjen e ndonjë kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga çdo person i tillë. Përveç kësaj, institucionet financiare dhe personat e tjerë që angazhohen në transaksione ose aktivitete të caktuara me subjektet dhe individët e sanksionuar mund të ekspozohen ndaj sanksioneve ose t’i nënshtrohen një veprimi përmbarimor.”