Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar një takim në Uashington me Senatorin e Teksasit, John Cornyn, që është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Veliaj njofton se përpos të tjerave në takim është diskutuar edhe çështja e sulmit kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë.
“Shumë i lumtur për takimin miqësor me Senatorin e Teksasit, John Cornyn, nga Komiteti i Inteligjencës së Senatit në Uashington. Një mik i Shqipërisë dhe vizitor i saj, ai kishte shumë dëshirë të mësonte për sulmet e fundit kibernetike të Iranit ndaj një vendi anëtar të NATO-s dhe rolin e Tiranës si Kryeqyteti Rinor Europian”, shkruan Veliaj.
Veliaj ndodhet për një vizitë në Uashington, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Ai u prit edhe nga kryetarja e Kongresit, Nensi Pelosi, ish-kandidati për President të SHBA-së, senatori Mitt Romney, kryetari i Senatit Amerikan, Chuck Schumer dhe shumë zyrtarë të lartë amerikan.