Izraeli ka ofruar ndihmë për Shqipërinë në fushën e mbrojtjes kibernetike pasi disa ditë më parë Irani sulmoi vendin tonë, duke bllokuar sistemet TIMS në hyrjet dhe daljet e vendit.
Zëvendësministri i Jashtëm Idan Roll u takua me Ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka në Berlin, ku ai ofroi të ndajmë njohuritë dhe përvojën në mbrojtjen kibernetike. Ai shprehu vlerësimin e Izraelit për vendimin e dëbimit të diplomatëve iranianë, shkruan ‘Times Of Israel’.
“Kam folur me ministren e jashtëm shqiptare Xhacka Olta në Shaping. Unë shpreha vlerësimin e Izraelit për vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet e saj diplomatike me Iranin dhe ofrova të ndajmë njohuritë dhe përvojën tonë në mbrojtjen kibernetike. Ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet nesh”, tha Roll në Twitter. Javën e kaluar, Shqipëria fajësoi Iranin për një sulm kibernetik të 15 korrikut që mbylli përkohësisht shumë shërbime dhe faqe interneti dixhitale të qeverisë shqiptare. Gjatë fundjavës, Ministria e Brendshme e Shqipërisë akuzoi Teheranin për një sulm që synonte sistemet kompjuterike të policisë kombëtare.
Kryeministri Edi Rama tha se një hetim përcaktoi se sulmi kibernetik i korrikut nuk ishte kryer nga individë apo grupe të pavarura, duke e quajtur atë një “agresion shtetëror”.
Të dy vendet kanë qenë ‘armiq të ashpër’ prej vitesh, që kur shteti ballkanik filloi të presë në tokën e tij anëtarë të opozitës, Muxhahedinët Popullorë të Iranit, ose Mujahedeen-e-Khalq (MEK).
Irani hodhi poshtë akuzat se qëndron pas sulmit kibernetik si “të pabazë” dhe e quajti vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike “një veprim të pamenduar dhe dritëshkurtër”.
“Irani si një nga vendet e synuara të sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturës së tij kritike refuzon dhe dënon çdo përdorim të hapësirës kibernetike si mjet për të sulmuar infrastrukturën kritike të vendeve të tjera”, tha Ministria e Jashtme e tij.
Administrata Biden tha se mbështeti lëvizjen e Shqipërisë, e cila është një anëtare e NATO-s.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin kibernetik të Iranit”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson. “Ne i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Rama që Irani të mbajë përgjegjësi për këtë incident kibernetik të paprecedentë.