Dy ekspertë amerikanë për krimet kibernetike, gjatë dy ditëve të fundit ndodhen në Tiranë për të vënë në funksion sistemet e brendshme të Policisë së Shtetit.
Ata janë pajtuar nga qeveria shqiptare pasi hakerat e financuar nga Irani sulmuan sistemin TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dy ekspertët e huaj në bashkëpunim edhe me specialist IT në vendin tonë po punojnë për të përforcuar sistemet. Ekspertëve dhe NATO-s u është kërkuar ndihmë për marrjen e disa filtrave që do të përforcojnë sistemin. Tashmë prej 4 ditësh, mosfunksionimi i sistemit të brendshëm ka vështirësuar punën e uniformave blu në drejtoritë e të gjitha qarqeve dhe në komisariatet e vendit. Kjo, pasi kompiuterat e tyre nuk janë vënë në punë deri në momentin që sistemi do të jetë tërësish funksional. Denoncimet dhe kallëzimet në polici mbahen në mënyrë manuale. Ndërkohë në pikat kufitare është shtuar numri i efektivëve, ku krahas TIMS-it po bëhen verifikime edhe me regjistrat, kjo për të rritur masat e sigurisë.
Burime për median bëjnë me dije se nga momenti që sistemi TIMS u hakerua e deri në rikthimin e tij, vetëm në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas u është refuzuar lëvizja 28 qytetarëve. 15 në dalje dhe 13 në hyrje. Ndalimi është bërë për arsye sigurie, pasi me regjistra ishte e vështirë verifikimi i tyre apo nuk kishin arsye bindëse për destinacionin ku do të udhëtonin. Ky është sulmi i dytë i ndodhur brenda jë harku të shkurtër kohor që hakerat iranianë sulmojnë Shqipërinë, pas goditjes së e-Albania. Një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës deklaroi se të dyja rastet janë duke u hetuar në një dosje të vetme.
Mësohet se sulmi i parë, ai i portalit qeveritar e-Albania nisi nga Ministria e Drejtësisë. Fillimisht një punonjësi të këtij institucioni i ishte dërguar një e-mail në formatin PDF. Pasi linku është klikuar, virusi u përhapur në regjistrin kombëtar të noterëve dhe më pas në sistemin e e-Albania./abc