Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka mbledhur mesditën e sotme strukturat e krimeve në Drejtorinë e Policisë. Kjo lëvizje vjen pak orë pas sulmit me breshëri kallashnikovi ndaj televizionit kombëtar “Top Channel”.
Në mbledhje po analizohen detajet e sulmit ku mbeti i vrarë roja i objektit, shtetasi Pal Kola, 60 vjeç.
Deri më tani është raportuar që pjesëmarrës në atentat të kenë qenë 3 persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00. Automjeti i përdorur ishte i tipit ‘Range Rover’ me targa të vjedhura. Autorët u larguan nga vendngjarja, ndërsa mjeti bashkë me dy kallashnikovët që dyshohen se u përdorën në sulm u gjetën të djegura.