Aktivistë kurdë, politikanë të majtë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut, marshuan sot kundër racizmit, në Paris. Kjo protestë vjen pas sulmit me armë zjarri në një qendër kulturore kurde, ku si pasojë u vranë tre persona dhe u plagosën tre të tjerë. Sipas dyshimeve të para, sulmi ka patur motive racore.
Mijëra vetë u grumbulluan në lindje të kryeqytetit francez, në “Place de la Republique”. Ata mbanin në duar flamuj shumëngjyrësh që përfaqësojnë grupet e të drejtave kurde, parti politike dhe kauza të tjera.
Marshimi ishte kryesisht paqësor, përveç disa të rinjve që hodhën sende të forta në drejtim të policisë. Kjo e fundit u është kundërpërgjigjur sulmeve me gaz lotsjellës. Disa nga protestuesit kanë hedhur parulla kundër qeverisë turke. Kjo vjen për shkak se ushtria turke ka nisur së fundmi një seri sulmesh ajrore kundër objektivave militante kurdo-siriane në Siri.