Dalin detaje të reja të sulmit me hanxhar të 19-vjeçarit Trevor Bickford ndaj tre oficerëve në natën e Vitit të Ri në Times Square, Nju Jork . Sipas New York Times , e cila citon një zyrtar të lartë të zbatimit të ligjit, i riu udhëtoi nga shtëpia e tij në Maine në Nju Jork për të sulmuar policinë në një akt të ekstremizmit islamik . Bickford u akuzua për sulm dhe tentativë për vrasje , por gjithashtu mund të akuzohej për terrorizëm .
Më 1 janar, NYPD arrestoi 19-vjeçarin për tentativë vrasje . Trevor Bickford u dërgua me urgjencë në spital pasi u qëllua në shpatull gjatë një përleshjeje me policinë.
Sipas gazetës amerikane, Bickford kohët e fundit ishte radikalizuar dhe më pas planifikoi sulmin e tij në metropol. Pak pas orës 22:00 të 31 dhjetorit, i riu sulmoi tre oficerë që ndodheshin pranë cepit të 8th Avenue dhe 52nd Street , pak jashtë kordonit për festimet e Times Square.
Një oficer, i cili sapo kishte mbaruar akademinë e policisë, pësoi një thyerje të kafkës në sulm. Dy oficerët e tjerë, përfshirë atë që qëlloi Bickford, u liruan nga spitali.
Një ditë para sulmit, Bickford i kishte shkruar një letër lamtumire familjes së tij në një ditar të gjetur nga policia. “Kam frikë se nuk do të pendoheni para Allahut dhe për këtë arsye kam shpresë në zemrën time se një pjesë e juaja do të besojë dhe do të nxirreni nga zjarri”.
Sipas burimeve të cituara nga CNN, Bickford u mor në pyetje nga FBI në Maine në mes të dhjetorit, pasi deklaroi se kishte ndërmend të shkonte jashtë vendit për të ndihmuar muslimanët, duke thënë se ishte “gati të vdiste” për fenë e tij. Nëna dhe gjyshja e të riut e denoncuan atë në polici pasi djali shprehu dëshirën për të udhëtuar në Afganistan për t’u bashkuar me Talibanët.