Kreu i Komunitetit të Myslimanëve Shqiptarë, Bujar Spahiu ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në xhaminë “Dine Hoxha” të rruga e Kavajës, ku pesë persona u plagosën me thikë nga një 34-vjeçar.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 14:00 . Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Spahiu i ka bërë thirrje organeve përkatëse që të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje e cila lëndoi besimatrët këtë muaj Ramazani.
Reagimi i Bujar Spahiut:
“U informova nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, dhe nëpërmjet medias, për ngjarjen e fundit në Xhaminë Dine Hoxha. Sipas imamit Kalaja dhe besimtarëve dëshmitarë të pranishëm, një përson i jashtëm ka hyrë nga rruga në xhami duke plagosur me mjet prerës besimtarët dhe personelin e pranishëm në xhami. Fatmirësisht besimtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën. I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë. Përsoni është në duart e forcave të rendit. Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë ramazani,”-shkruan Spahiu.