Zyra e OSBE në Tiranë ka reaguar pas sulmit me kallashnikov ndaj Top Channel, ku mbeti i vrarë roja i sigurisë, Pal Kola. OSBE kërkon që të hetohet sa më shpejt incidenti dhe të zbardhen motivet e plota të sulmi, si edhe të vendosen para drejtësisë autorët.
“Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, z. Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik. Një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë”, thuhet në reagim.