Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPBS) njoftoi të shtunën se Milan Radoiçiç i është përgjigjur thirrjes së saj dhe se ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
Të premten, Radoiçiç e mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
“Ftesës së autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë, Millan Radoiçiç i është përgjigjur dhe sot në orën 10, i shoqëruar nga avokati i tij, ka hyrë në ambientet e MPB-së, për të dhënë deklaratë si qytetar për rrethanat të ngjarjes tragjike në qytetin e Banjskës, herët në mëngjes të së dielës, 24 shtator 2023”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe.
MPBS-ja shtoi se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd do të njoftohet për deklaratën e Radoiçiçit në formë raporti, e cila më pas “do të ndërmarrë masat dhe veprimet e mëtejshme procedurale nën autoritetin e saj.”
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, e ka falënderuar Radoiçiçin për “ruajtjen e serbëve në Kosovë”, para se të deklaronte më vonë se ai do të merret në pyetje nga drejtësia.
Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rruge pranë një ure në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë. Tre sulmues të dyshuar janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Prishtinë.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Radoiçiç nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Sveçla se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.
Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.
Radoiçiçi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar./REL/