Një person i armatosur ka hapur zjarr në një shkollë në Rusinë qendrore, duke vrarë të paktën nëntë persona dhe duke plagosur të tjerë.
Viktimat përfshijnë pesë fëmijë në shkollën me rreth 1000 nxënës në qytetin e Izhevsk.
Mësohet se autori i armatosur ka vrarë veten dhe motivi është i paqartë. Zyrtarët e emergjencës ndodhen në vendngjarje.
Mediat ruse kanë publikuar në internet video të cilat duket se tregojnë skena paniku brenda ndërtesës ku ndodhën të shtënat.
Disa pamje tregojnë gjak në dyshemenë e një klase dhe një vrimë plumbi në një dritare, me fëmijë të ulur poshtë tavolinave.
Dy mësues dhe dy roje sigurie janë mes të vdekurve, sipas zyrtarëve rusë. Stafi dhe nxënësit janë evakuuar nga ndërtesat e shkollës.
Një deputet lokal tha se sulmuesi kishte qenë i armatosur me dy pistoleta. Agjencia shtetërore e lajmeve Tass citoi hetuesit të kenë thënë se personi i armatosur kishte veshur një bluzë me një simbol nazist dhe një kapuç.
Shkolla është në qendër të Izhevsk, një qytet me rreth 650,000 banorë, afër ndërtesave të qeverisë qendrore.