Autoritetet ruse kanë raportuar ditën e sotme, se kanë rrëzuar një dron ukrainas afër një baze ajrore ruse. Nga ky incident kanë mbetur të vdekur tre persona. Droni thuhet se po fluturonte pranë bazës ajrore ruse ‘Engels’, ku gjenden bombarduesit strategjikë me rreze të gjatë që mund të jenë përdorur për sulmet në Ukrainë. Sipas, Ministrisë së Mbrojtjes ruse asnjë avion nuk mbeti i dëmtuar nga sulmi, por në rrjetet sociale janë shprëndarë një sërë lajmesh që raportojnë shkatërrimin e disa të tillëve.
“Tre ushtarakë rusë të stafit teknik që ishin në aeroport u plagosën për vdekje si pasojë e rënies së rrënojave të dronit” – thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kjo bazë ajrore është një nga dy bazat strategjike ku strehohet kapaciteti bërthamor i Rusisë, dhe ndodhet rreth 730 kilometra në juglindje të Moskës, shumë larg vijës së frontit në Ukrainë.
Nga Ukraina nuk pati reagim të menjëhershëm, mirëpo Kievi zyrtar nuk ka marrë asnjëherë publikisht përgjegjësi për sulmet brenda Rusisë. E njëjta bazë ajrore u sulmua edhe një herë në fillim të këtij muaji nga dronët ukrainas, sipas Rusisë.