Policia e Kosovës ka konfirmuar se ditën e sotme është sulmuar ekipi i gazetarëve të televizionit “Klan Kosova” në fshatin Zupç të Zubin Potokut. Si pasojë e sulmit janë lënduar dy nga pjesëtarët e ekipit dhe janë shkaktuar dëme materiale.
“Sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta (gurë) kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. Lidhur me këtë incident kanë nisur hetimet.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar duke u shprehur: “Ky dhe incidentet e mëparshme që e ndikojnë punën e mediave janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmet, për të cilat ka thënë se janë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri.