Një burrë i përshkruar si jostabil mendërisht ka sulmuar me thikë një prift në një kishë në qytetin e Nicës në Francë, kanë thënë zyrtarët të dielën.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin ka thënë në llogarinë e tij në Twiter se jeta e priftit nuk është në rrezik dhe se policia ka arrestuar sulmuesin.
Sulmi ka ndodhur në ditën kur francezët votojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Kryetari i qytetit të Nicës, Christian Estrosi, ka thënë se sulmuesi ka qenë jostabil mendërisht, nuk ka pasur histori të kriminalitetit dhe ka blerë thikën disa ditë më herët.
Mediat lokale kanë thënë se sulmuesi është 31-vjeçar dhe nuk ka dyshime për lidhje terroriste.
Ligjvënësi lokal, Eric Ciotti ka thënë se edhe një murgeshë është plagosur në krah, teksa ia ka marrë thikën sulmuesit./REL