Firdeus Berberi, njëri prej personazheve kryesorë që ka marë pjesë në sulmin me thikë dhe pistoletë, me qëllim ekzekutimin e Johan Muçllarit, është marrë i pandehur nga prokuroria e Pogradecit.
Në total prokuroria, ka marë 7 të pandehur për ngjarjen e ndodhur në muajin Prill 2022, ku u sulmua me armë dhe thikë, Muçllari. Por çuditërisht, edhe pse një vit më parë ndodhi ngjarja e rëndë, asnjëri prej tyre nuk ndodhet në burg.
6 të pandehur janë hetuar dhe do gjykohen në gjëndje të lirë. Kurse personi kryesor, Firdeus Berberi, rezulton në kërkim dhe ende nuk është kapur nga Policia e Shtetit.
Çështja kundër 6 personave pritet të gjykohet në seancë paraprake nga gjyqtarja, Luljeta Kolonja.
Ndërsa për një person tjetër të quajtur Rudi Shaho, prokuroria ka vendosur të pushojë ndjekjen penale për akuzën e “Moskallëzimit të Krimit” dhe “Përkrahjes së autorëve të krimit”.
23-vjeçari Berberi është djali i Ilir Berberit, që në Pogradec njihet ndryshe me nofkën “Lili i Rrushkës” dhe ka precedentë të mëparshëm penalë.
Në dosje hetimore tregohet se hetimet e ndjekura nga prokurori, Neritan Hoxha, kanë çuar në ngritjen e akuzës për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë ndaj, Firdeus Berberit.
Por përveç kësaj vepre penale, ndaj Berberit është ngritur dhe akuza e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit” si dhe “Prishjes së qetësisë publike”.
Në dosje evidentohet se Berberi, ka qëlluar 4 herë me armë në drejtim të Johan Muçllari, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e këmbës.
Në pamundësi për ta vrarë me pistoletë, teksa Johan Muçllari, ndodhej i shtrirë në rrugë, Firdeus Berberi, e ka sulmuar sërisht, por këtë herë me thikë.
Ndërsa shoku i Firdeusit, Griseld Maxhari, rezulton të jetë marë i pandehur për akuzën e “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pasi teksa ndodhej në vendin e ngjarjes ka kryer fshehjen e provave materiale dhe ka “Përkrahur autorin e krimit”.
Prokuroria ka provuar se Maxhari ka mbledhur në vendgjarje gëzhojat e armës dhe është larguar.
Për përkrahjen e autorit të krimit, Firdeus Berberi, prokuroria e Pogradecit ka marë të pandehur dhe shokët e tij si Fatjon Bono, Ledian Shkulaku, Kristian Kreste, Hekuran Gjona dhe Bledar Berberi.
Konflikti mes të rinjve e ka zanafillën qysh në vitin 2017, kur në Pogradec është sulmuar dhe kanosur me armë zjarri Johan Muçllari, nga Meardi Berberi (Korua), Andra Piliçin dhe Mariglen Topuzi.
Ndërsa ka vijuar më tej në djegien e makinës së Muçllarit, ngjarje kjo për të cilën është arrestuar dhe dënuar Mariglen Topuzi.
Ngjarjet kriminale u intesifikuan në muajin Gusht 2020, ku në datat 1 dhe 8 gusht është sulmuar me 85 plumba hoteli “Voloreka” në Drilon, që është në pronësi të Jetmir Muçllarit, babait të Johanit.
Për këtë ngjarje policia arrestoi disa persona, mes të cilëve të “Lilin e Rrushkës”, por çështja ndaj tyre aktualisht është në proces gjykimi në gjykatën e Pogradecit.Ora News