Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar këtë të hënë punimet pranë Liqenit të Thatë, ku do të vendoset skena e festivalit ‘Sunny Hill’.
Veliaj tha se ky festival do të bëjë bashkë shumë të rinj kudo që janë.
Sakaq shtoi se qyteti do të fitojë të ardhura ekonomike të jashtëzakonshme, ndaj dhe duhet parë në aspektin ekonomik.
“Po fillojmë përgatitjet për të pritur ndoshta aktivitetin më të madh kulturor në vitin që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Dua Lipa dhe gjithë grupi i ‘Sunny Hill Festival’ do të transferohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të kemi një edicion të Tiranës në datat 26 – 29 gusht. I gjithë fundi i gushtit do të jetë plot me muzikë dhe ndërkohë tashmë ka dhe aktivitete të tjera. Është një mënyrë se si sjell të rinjtë afër, jo vetëm të rinjtë e Kosovës e Shqipërisë apo shqiptarët e rinj kudo që janë, por edhe shumë të tjerë që do vijnë nga Italia, Greqia dhe i gjithë Ballkani. Mezi pres që ne të kemi një histori suksesi në Tiranë, edhe në menaxhimin e një eventi kaq të madh, ashtu siç patëm një histori suksesi me menaxhimin e ndeshjes UEFA Conference League.
Unë jam i sigurt që këtë test do e kalojmë të gjithë bashkë. Çunat e gocat e Tiranës janë super të emancipuar, kështu që do ta kalojmë me shumë sukses. Deri tani, jam super i kënaqur dhe besoj që qyteti do të fitojë edhe të ardhura ekonomike të jashtëzakonshme. Kush vjen dhe rri 3-4 ditë në Tiranë, paguan hotelin, vaktet, konsumon nëpër dyqane, shkëmben me qytetin dhe unë besoj fort që duhet të shohim edhe aspektin ekonomik”, tha ai.