Recetë fantastike është kjo që do të sjellim si ide për darkë.
Supa me qofte të vogla është padyshim një prej recetave që të kënaq nepsin dhe ka shije të përsosur, ku mund të kombinohet me sallata të stinës, perime të pjekura, patate furre por edhe turshi të ndryshme.
Priza.al sjell të plotë recetën dhe mënyrën e përgatitjes:
Përbërësit:
- 300-400 gr mish i grirë
- 2 feta të holla buke
- 1 kokërr vezë
- 1-2 kokrra qepë
- 4 thelpinj hudhrash
- Nenexhik
- Majdanoz
- Kripë
- Dy lugë gjelle miell gruri
- Dy lugë gjelle salcë domateje
- 2 lugë gjelle uthull molle
- 2-3 gota me lëng mishi ose ujë
Përgatitja:
Në fillim duhet të përgatisni qoftet si zakonisht. Bashkoni të gjithë përbërësit në një enë. Fetat e bukës lagini me pak ujë që të zbuten para se t’i hidhni tek përbërësit.
Përziejini të gjitha bashkë derisa të krijohet një masë homogjene. Më pas masën e krijuar ndajeni në toptha të vegjël. Kalojini në miell, skuqini dhe lërini mënjanë. Ndërkohë në tiganin ( i cili duhet të jetë i madh) ku kemi skuqur qoftet hedhim salcën e domates, e kaurdisim pak dhe pastaj shtojmë miellin e kaurdisim për pak dhe shtojmë lëngun e mishit ose ujin, kripën dhe uthullën.
Vijojmë ta përzjemë në mënyrë që mos krijohen kokrriza, shtojmë aty edhe qoftet edhe i lëmë në zjarr për 10 minuta sa të marrë një valë, më pas hiqeni nga zjarri dhe supa është gati për t’u shërbyer.