Operacioni i madh “Nomada” i Policisë së Shtetit dhe SPAK, i finalizuar një ditë më parë në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, mundi të çojë në pranga një grup të madh personash me pozicione të ndara secili për falsifikimin e dokumenteve dhe kalimin në mënyrë të paligjshme të shqiptarëve në drejtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës.
‘Super laboratori’ që prodhonte dokumentet e falsifikuara ndodhet në Kosovë, por akoma nuk është arritur të gjendet nga autoritetet kosovare atje dhe bëhet fjalë për një laborator që prodhon me cilësi të mirë.
Megjithatë, autoritetet shqiptare kanë mundur të identifikojnë prodhuesin kryesor të kësaj veprimtarie kriminale, i cili nuk është kapur nga Kosova dhe tashmë është shpallur në kërkim.
SPAK dhe Policia e Shtetit zbardhën të plotë linjën e prodhimit, sjelljen e tyre në Shqipëri dhe dërgimin në drejtim të Spanjës.
Organizator kryesor i të gjithë rrjetit mësohet se ishte Bashkim Sula, i arrestuar në mesin e 26 personave, i cili në tërësi përgatiste rrjetin, koordinonte veprimet me Kosovën ku prodhoheshin dokumentet false dhe përgatiste transportimin e tyre në drejtim të Spanjës përmes agjencisë së udhëtimeve “Domi”.
Ndërkohë, Njazi Ademaj, po ashtu i arrestuar, kishte rol për gjetjen e qytetarëve që u duheshin dokumente false për t’i nisur në Spanjë, me destinacion final Britaninë e Madhe dhe Irlandën, të cilët arrinte t’i gjente në bashkëpunim me të tjerë.
Shqiptarët që donin të udhëtonin në vendin ishullor, ishin kryesisht të thjeshtë dhe kërkonin të shkonin për çështje ekonomike apo bashkime familjare. 35 të arrestuarit që janë kapur në Spanjë mësohet se janë identifikuar nga Policia e Shtetit, e cila më pas njoftonte autoritetet atje dhe ndaloheshin në kufi.
Shqiptarët paguanin për dokumentet false për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë nga 3500 Euro deri në 10 000 Euro.