Partizani merr tri pikë me shumë vlerë në derbi, në një moment delikat të kampionatit dhe tani mund të pretendojë për më lart. Të kuqtë fituan 1-0 ndaj Dinamos, duke zhytur blutë në një krizë rezultatesh.
Të dyja skuadrat kanë pasur mundësitë e tyre, ndërsa Dinamo i është afruar së tepërmi golit. Një skemë thuajse perfekte në pjesën e parë prishet në fund vetëm nga instikti i Teqjas, që i mohoi golin Mihanës.
Ndërkohë goli do të vinte në pjesën e dytë të takimit dhe do të mbante firmën e Esat Malës. Një pasim i vetëm në minutën e 71-të nxjerr nga vendosja prapavijën dinamovite dhe Mala gjendet krejt i vetëm përballë Bekajt, të cilin nuk e pati të vështirë ta mposhtë.
Dinamo përpiqet të gjejë golin e barazimit, por topin në rrjetë e dërgon përsëri Partizani. Por këtë herë arbitri kishte ngritur lart flamurin. Kështu të kuqtë marrin 3 pikë mjaft të vlefshme që japin shpresë për kthesën në rezultate.
/Priza.al/