Vazhdon të jetë larg titullit, por Tirana duket se po ndikon direkt në fatin e trofeut për këtë sezon të Superligës. Brenda katër ditëve, bardheblutë e kryeqytetit mundën dy prej favoritë, teksa pas Teutës në kryeqytet është dorëzuar edhe Vllaznia.
Një gol i Bathës në minutën e 74-rt vendosi triumfin 1-0 të skuadrës së drejtuar nga Orges Shehi.
Me këtë fitore, Tirana ngjitet në kuotën e 49 pikëve në vendin e pestë, katër posht zonës Euro dhe gjashtë larg kreut. Diferenca mbetet e madhe, por matematika i jep shpresë kampionëve në fuqi.
Nga ana tjetër, kjo humbje zbret Vllazninë në vendin e tretë, me shkodranët që lëshojnë terren ndaj rivalëve direktë të Teutës dhe Partizanit. Durrsakët u kthyen në vendin e parë pas fitores 2-0 kundër Kukësit. Gjithçka e lehtë për të besuarit e Edi Martinit, që kaluan në epërsi shumë shpejt, falë golit spektakolar të Krasniqit në minutën e 11-të.
Pas pushimit, në të 67-ën, Hoxha me golin e dytë vulosi fitoren e Teutës që numëron 55 pikë në krye të renditjes. Në vendin e dytë, me një pikë më pak pozicionohet Partizani, që nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në transfertën e Laçit.
Çinari në minutën e nëntë hapi serinë e golave për këtë sfidë me epërsinë e të kuqve.
Vendasit reaguan shpejt dhe barazuan shifrat me Mustën. Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, Laçi përmbysi rezultatin me golin e Shehut në të 58-ën. Për të evituar humbjen e skuadrës së tij mendoi Junior që në minutën e 79-të vulosi barazimin në këtë ndeshje.
/Burimi: BW/