Trajneri i kombëtares Sylvinho prej disa ditësh ka kontaktuar apo takuar personalisht disa futbollistë të kombëtares. Një pjesë e mirë e tyre e kanë marrë tashmë njoftimin se do të jenë në listën e tij për ndeshjen ndaj Polonisë më 27 Mars, e vlefshme për kualifikueset e Europianit të vitit 2024.
Edhe mes lojtarëve po qarkullon lajmi se cilët janë ata që Sylvinho pëlqen t’i ketë në skuadër. Tekniku brazilian ka shprehur konsiderata për mbrojtësin e partizanit Hadroj, por veç tij mund të ketë edhe ndonjë tjetër lojtar nga Superliga.
Një prurje e re do të jetë edhe Anis Mehmeti nga Bristol City e kategorisë së dytë të futbollit anglez. Mesfushori i lindur në Londër ka qenë më parë pjesë e shpresave.
Federata shqiptare e futbollit pritet ta shpallë listën e lojtarëve që do të grumbullojë Sylvinho më 17 Mars. Trajneri dhe stafi i tij do të kenë më pas rreth 10 ditë kohë për të përgatitur ndeshjen që do të luhet në Varshavë.