Ditën e sotme, në Kuvend, deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka deklaruar se ndërtimi i urës mbi lumin Buna, është një model bashkëpunimi mes dy vendeve, nga i cili përfitojnë shqiptarët.
Ai e cilësoi votimin e marrëveshjes për ndërtimin e urës nga mazhoranca, si një moment historik.
Koçi u shpreh se ura do të shkurtojë nga 1.5 orë rrugë në vetëm 5 minuta, ndërsa turistët e të dy vendeve do të kenë mundësinë që të shfrytëzojnë hapsirat turistike.
Koçi: “Më në fund ka ardhur koha që në këtë rajon të ngrihen ura dhe jo mure. Është koha e Ballkanit të Hapur dhe jo Ballkanit të mbyllur. Përfituesit e parë janë shqiptarët. Dua të falenderoj kolëgët e maxhorancës që votuan këtë marrëveshje dhe më vjen keq që opozita nuk arriti deri aty sa të votonte kundër, por abstenoi.
Imagjinoni është një projekt që 1.5 orë rrugëtim e kthen në 5 minuta, 73 km i kthen vetëm në 300 metra dhe padyshim ata që lidhen me ekonominë e makinës e kuptojnë që 10 litra karburant e kthen në 10 ml. 360 mijë turistë të Velipojës do kenë mundësinë që shumë shpejt të mund të kalojnë në Ulqin, ashtu sikurse 170 mijë turisët në Ulqin të mund të shfrytëzojnë hapësirën turistike shqiptare të Velipojës dhe më tej.
Shpreh mirënjohje për të dy kryeministrat, Edi Ramën dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.Ndërkohë të tjerët kanë interës që të shfytëzojnë këtë hapësirë. Ky është një model bashkëpunumi mes dy vendeve, një moment historik ndërtimi i urës. Kishte një diskutim për lartësinë e urës, por unë besoj se lartëtsia 10.3 metra mbi sipërfaqen e ujit është e mjaftueshme, nuk pengon lundrueshmërinë e lumit Buna. Ta gëzojë Shqipëria dhe Mali i Zi urën e re mbi Bunë, ta gëzojë Shkodra”, u shpreh ai.