‘Ta shmangë PD-në nga përfshirja’/ Pas shpalljes ‘i padëshiruar’ nga SHBA-të, Kadilli flet për Berishën: Ta marrë nën emrin e tij betejën…

Anëtari i Kryesisë së PD-së, njëherësh kandidat për kryetar të kësaj force politike, Fatbardh Kadilli, komentoi sot nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook, vendimin e DASH-it për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Kadilli shkruan në “facebook” se, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë, teksa vjen në 30-vjetorin e vendosjes se marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, sot Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çështje privatisht, ndërsa shton se “Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes, duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë”.

Reagimi i Fatbardh Kadillit nw profilin e tij nw Facebook:

“Lajmi i shpalljes së z. Berisha persona non grata nga Sekretari i Shtetit, ka provokuar shumë emocione, sidomos mes mbështetësve dhe atyre që kanë rrugëtuar në politikë krah tij.

Në 30 vjetorin e vendosjes se marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë. Kujtoj ende imazhet e drejtuesve demokratë Berisha dhe Pashko, si të ftuar specialë të këtij momenti historik.

Sot, në një situate krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çështje privatisht.

Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë.

Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i kompromentojë në asnjë rast marrëdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *