Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka ngritur shqetësimin se ekonomia shqiptare është në pikën e hallit, dhe se qytetarëve qeveria po u hedh ‘pilulën e propagandës’ çdo ditë duke i thënë se çdo gjë po shkon mirë.
Tabaku në ‘Facebook’ shkruan se vendi po përballet me krisë ekonomike, për fuqi punëtore dhe se borxhi publik po rritet dhe inflacioni, por ‘Rilindja’ ushqen oligarkët politikë dhe se ekonomia shqiptare është peng i një klani të vogël.
Sakaq shton se shqiptarët gjithnjë e më shumë po shpenzojnë para për të blerë ushqimet e përditshme dhe se inflacioni po i ‘gllabëron’ rrogën, qeranë dhe të ardhurat.
Postimi i plotë:
Një herë në dy ditë, qeveria kujdeset që të dalë për t’u hedhur shqiptarëve në mëngjes dhe mbrëmje pilulën e propagandës se “ekonomia po shkon mirë”.
Një ushtrim i përgatitur siç duhet që kushdo që mendon dhe e ndjen që ekonomia është në pikën e hallit të ndjehet i huaj pasi nuk beson atë që i thotë qeveria dhe jo atë që i ndjen xhepi përditë. Kushdo nga qytetarët e di që shqiptarët po largohen nga vendi, që është një krizë thuajse permanente për punëtorë por qeveria thotë që nuk janë larguar mbi 200 mijë shqiptarë pasi në fakt qeveria ka rritur punësimin dhe shqiptarët që mungojnë janë thjesht të punësuar. Kredimarrësit e dinë që kësti i kredisë së marrë në bankë është duke u rritur përditë, por qeveria na thotë që në fakt borxhi jonë publik është në vlera minimale. Pak rëndësi ka borxhi që paguan ti nga rroga jote, qeveria po kujdeset që borxhi që paguan ti me taksat e tua për PPP-të e qeverisë të jetë “ulur”. Kushdo e di që shpenzon më shumë nga të ardhurat e tij të rrogës për ushqimet dhe bukën e përditshme që duhet të suhqehet në vakte, por qeveria kujdeset që përditë të na tregojë që Shqipëria ka një rritje ekonomike fenomenale. Kushdo e di që inflacioni po ia gllabëron rrogën, qeranë dhe të ardhurat por qeveria kujdeset të na thotë që rritja ekonomike është shumë e mirë.
Kushdo e di që taksat e kësaj qeverie janë ushqimi me të cilën ushqehet oligarkia politike dhe ekonomike që merr projekte publike dhe shqiptarët paguajnë dy hershe; por qeveria çdo dy ditë del dhe tregon përrallën se Shqipëria është parajsa e turistëve dhe vendi më i drejtë fiskal. Kushdo e di se arsyeja e zhvlerësimit të euros nuk është prej turizmit janë paratë e pista dhe zgjedhjet, por qeveria çdo dy ditë na tregon se si ka mbjellë nga një pemë dhe se kullat në Tiranë në fakt janë pyje orbitalë. Kjo është loja e robërimit të mendjes, një pilulë që na merr mendjen duke na prodhuar realitetin që duhet të mendojmë dhe jo vuajtjen e një ekonomie që është tanimë peng i një klani të vogël.