Deputetja Jorida Tabaku ka kërkuar nga qeveria që të kthejë sa më shpejt profesionistëve të lirë paratë që u janë marrë përmes një takse antikushtetuese, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në favor të tyre.
Ajo theksoi se mbi 30 mijë profesionistë të lirë meritojnë respektin e duhur dhe kritikoi vonesën e qeverisë për të përmbushur detyrimet e saj. Tabaku bëri thirrje për miratimin e një propozimi ligjor nga Partia Demokratike për të rregulluar situatën dhe për të garantuar që këta profesionistë të marrin çdo qindarkë që u është marrë padrejtësisht.
Deklarata e plotë:
Profesionistët e lirë edhe sot e kësaj dite nuk e marrë ende pas pagesën që i kanë bërë shtetit për një taksë të padrejtë dhe antikushtetuese. Mbasi Grupi Parlamentar i shkoi deri në fund betejës për profesionet e lira në Gjykatën Kushtetuese, tashmë do t’i shkojë deri në fund, deri kur ato të marrin pagesën e fundit. Ne bëmë një propozim ligjor, një ligj që mendojmë se rregullon situatën për të gjithë ato profesionistë të lirë të cilët kanë paguar dhe qeveria në mënyrë arbitrare i ka vendosur këmbën në fyt për t’i marrë detyrimet e taksave megjithëse ishin të padrejta.
Po le mos ta marrin këtë ligj. Le ta hedhin tutje. Mos ta marrin parasysh. Por kanë gjithë mënyrën dhe hapësirën; qoftë me një vendim të Këshillit të Ministrave apo një udhëzim të Ministrit të Financave për ti kthyer profesionistëve të lirë të gjitha detyrimet që shteti ia ka marrë padrejtësisht. Janë 30 mijë profesionistë të lirë të cilët punojnë, çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë në një treg shumë të vështirë dhe në një situatë akoma më të vështirë. Prandaj ato e meritojnë trajtimin me dinjitet dhe respekt. Një respekt që shteti nuk ia dha por ato e morën përmes gjykatës dhe padyshim me mbështetjen tonë.
Edhe pagesën që qeveria i detyrohet do ta marrin përsëri me mbështetjen tonë. Deri në qindarkën e fundit.