Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku shprehet se qeveria rriti taksat duke mbledhur 264 milionë euro më shumë por këto të ardhura sipas saj nuk po shkojnë për rritjen e pensioneve apo investimeve.
“Është fakt tashmë që çdo shqiptar paguan më shumë taksa, tarifa lokale, paguan më shumë për shërbime dhe veçanërisht shtresa e mesme ka pasur një rritje të jashtëzakonshme taksash. Buxheti i shtetit vitin e shkuar mblodhi pothuajse 264 mln euro më shumë. Ndërsa viti u mbyll me një sufiçit e shtesë prej 150 mln eurosh.
Po çfarë po ndodh me buxhetin e shtetit? A po i merrni këto taksa mbrapsht? A po merrni çmime më të ulëta? A keni më shumë shërbime? Pensione më të larta? Shëndetësi falas? Më shumë rrugë? Ndërsa flasim 11% janë shpenzimet e fondeve për investime publike. Projekte të shtrimit të rugëve, ujësjellës kanalizime, infrastruktura lokale…11%.
Po çfarë po ndodh? Është kjo vlerë si rezultat i arrogancës? I korrupsionit apo i paaftësisë për të shpenzuar para? Ndërsa ia marrin qytetarëve me çdo formë të mundshme; tek dyqani i lagjes me çmimet e larta, tek fshatari me më shumë taksa, tek supermarketi me taksa të rritura nuk ia kthejnë pas me shërbime.
Edhe fondet që janë mbledhur në buxhetin e shtetit nuk shpenzohen sepse shkojnë për PPP, për koncesionet dhe nuk fokusohen tek projektet reale që mund të jenë në shërbim dhe dobi të turizmit” tha ajo.