Deputetja e PD, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në parlament, e cilësoi premtimin e qeverisë për rritjen e pagave si një tentativë për të marrë pushtetin vendor dhe fajësoi opozitën për mospjesëmarrjen e qytetarëve në kutitë e votimit. Sipas saj Shqipëria është në katrahurë dhe mund të shpëtohet vetëm me rikthim të besimit te politika e ndryshimi.
Pjesë nga fjala e Tabakut: “Për shumë prej nesh besoj se është e vështirë rifillimi i seancave aty ku e lamë duke u sjellë sikur nuk ka ndodhur gjë, pak më shumë se një javë më parë Shqipëria dhe shqiptarët humbën shansin për një rotacion lokal, ku harta kishte pak a shumë të njëjtën pamje që kishte katër vjet më parë. Këtu nuk është as vendi as momenti për të bërë analizat tona të brendshme, por sigurisht që pak gjëra dua t’i them: Është fakt që mbas zgjedhjeve të 2021 largimi i shqiptarëve nga këto troje është rritur e përshpejtuar sa jo pak herë vrikemi të justifikojmë dhe me pak siklet se çfarë ndodh; kush janë arsyet; se pse sot ka më pak shpresë dhe pse shqiptarët largohen. Kam takuar pa fund të rinj e të reja që kanë një mllef, mërzi por dhe dëshirë për ndryshim, që duan ta materializojnë dhe fatkeqësisht nuk arritën dot ta bëjnë në zgjedhjet lokale, që nuk arritën dot që atë potencial të paçliruar ta çlironin dhe sot të diskutonim për të ardhmen e jo të shkuarën.
Të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave. Pasi qeveria në vend që të punonte për një rritje graduale të pagave dhe padyshim edhe meritokracinë ka investuar në sektorin e korrupsionit. Fatkeqësisht pabarazia në vendin tonë duket se është thellësisht një proces i ndikuar dhe drejtuar nga parlamenti i Shqipërisë. Sa e sa ligje janë miratuar këtu që promovojnë pabarazinë dhe mungesën e mobilitetit social?
E bashkë me këtë administrata publike sot ka nevojë të jetë e pakapur, ka nevojë të jetë jo-politike; ka nevojë të vazhdojë atë që nisi në 2013 po u shkel me këmbë një sistem ku promovohesh pa lidhje partiake. Kur dëgjoj prezantimet e këshilltareve bashkiakë nëpër rrethe, janë të gjithë të punësuar në OSHEE, administratë, drejtori rajonale. I gjithë shteti është i lidhur politikisht! Prandaj largohen sot dhe të rinjtë, sepse duhet patjeter të jesh dikushi, ose familjar i dikushit, ose i lidhur me dikë që punësohet në shtet, që të kesh mundësi të arrish diçka.
Shqipëria sot është një katrahurë ekonomike dhe politike. Besoj se ka vetëm një rrugë për ta shpëtuar vendin nga kjo katrahurë, rikthimi i besimit tek politika, rikthimi i besimit tek ndryshimi. Tek politika si instrument për të bërë mirë e për të ndryshuar çdo ditë, jo sa herë ka zgjedhje! Me çdo mundësi, qoftë dhe me kosto politike për secilin prej nesh”, tha Tabaku.