Deputetja e PD Jorida Tabaku, ka kërkuar që SPAK të përcaktojë një Prokuror Special për të hetuar krimin zgjedhor, ndërsa na ndajnë vetëm dy muaj nga zgjedhjet vendore.
Gjithashtu ajo shprehet se reagimi duhet të jetë maksimal në mënyrë që të mos përsëritet e njëjta situatë me blerjen e votës.
“Së pari, ne ndodhemi dy muaj nga dita e zgjedhjeve vendore. E për të mos përsëritur zgjedhjet e njollosura nga problematika e ndërhyrjes brutale politike sa në menaxhimin e procesit ashtu dhe në përfshirjen e elementëve jashtë politikë në të, si blerja e votave dhe përfshirjen e krimit të organizuar, ne duhet të tregojmë vullnetin politik jo në letër, jo me fjalë po me veprime konkrete. Prandaj, shfrytëzoj mundësinë e dhënë sot për t’i kërkuar drejtuesit të SPAK, z. Dumani, përcaktimin e një Prokurori Special që do të mund të hetojë krimet zgjedhore dhe ato ndërlidhje që njollosën raportet e BE për vendin tonë. Së dyti, në raportet e Komisionit Europian, ka qenë një problem gjithnjë e më i artikuluar çështja e emigracionit masiv dhe azilkërkuesve që prekin tokën e vendeve anëtare. Fatkeqësisht, hemorragjia sociale i ka bërë dëm Shqipërisë dhe nëse së paku kjo problematikë do të përballej me seriozitet do të mund të kishim një alternativë përtej mohimit kronik. Kjo është sfida e ekonomisë dhe politikës shqiptare. Së treti, një nga problemet e rëndësishme që i shtyn shqiptarët drejt largimit masiv është Korrupsioni. Nga pozicioni i Këshillit të Integrimit por edhe nga ajo e deputetes në Parlament, kam ngritur shqetësimin se në vendin tonë mungon vullneti politik për të rregulluar problemin akut që mbyll dyert e shpresës. Përkrah nismave ligjore, si paketa anti-korrupsion propozuar nga Partia Demokratike, ne duhet të kemi dhe vullnetin politik për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur interesin publik dhe kushtetutën në rastin e luftës kundër korrupsionit. Kjo luftë duhet të jetë një prioritet kombëtar nga kuvendi”, ka thënë Tabaku.