Rezart Taçi, kunati i tij Artur Balla dhe ish truproja e tij, Bledar Lilo, janë të përfshirë në një skemë pastrimi të parave përmes firmave të naftës, sipas prokurorisë së Palermos në Itali. Ditën e djeshnme SPAK ngriti akuza pas hetimeve disamujore që ka nisur në bashkëpunim me antimafian Italiane.
Skema e pastrimit të parave përmes transaksioneve bankare bëheshin në Shqipëri, Itali dhe Zvicër, dhe Mali i Zi, ku Taçi dhe dy njerëzit e tij bashkëpunonin me 4 italianë për pastrimin e parave të krimit të Cosa Nostra-s.
Nga përgjimet e SPAK rezultoi se Rezart Taçi kishte ndërhyrë edhe tek Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Këtë të fundit e përdori për të kaluar nga “banka e Presidentit”, i cili do të merrte edhe ai shumën e vet të parave sapo transferimi të kryhej.
Prokuroria Speciale në Mal të Zi ka nisur një hetim për presidentin e vendit Milo Gjukanoviç pas publikimit të përgjimeve nga autoritetet italiane për dosjen “Taçi” dhe skemën e larjes së parave. Lajmin e bëri të ditur transmetuesi publik RTCG raportoi më 17 nëntor.
Kujtojmë se më herët gjatë nëntorit, BIRN publikoi përgjimet e një bisede mes biznesmenit të hidrokarbureve Rezart Taçi, i akuzuar nga SPAK për përfshirje në skemë për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup kriminal, gjatë së cilës ai dëgjohet duke përmendur emrin e presidentit malazez.
Në bisedë, Taçi thotë se ai kishte përfshirë Gjukanoviç për të transferuar para në bankën Prva Banka të Malit të Zi. Në këtë bankë aksione ka vëllai i presidentit Aco. Prva Banka i ka mohuar akuzat, kurse Djukanovic është shprehur sipas RTCG se me shumë kënaqësi do t’u përgjigjet pyetjeve nga prokuroria speciale.
“Me shumë kënaqësi do t’i përgjigjem ftesës të çdo autoriteti të shtetit sepse dua të jap shembullin sesi dikush duhet të sillet nëse do që të vendoset sundimi i ligjit.”
Megjithatë, presidenti malazez e ka mohuar që të ketë pasur ndonjë kontakt me biznesmenin Taçi apo me ndonjë tjetër person të përfshirë në përgjime. Sipas tij, këto janë akuza të pabaza që si qëllim kanë largimin e vëmendjes nga problemet e rëndësishme të jetës publike dhe politike në vend.
“Është rast i fabrikuar. Nuk e di kush janë këta njerëz dhe as nuk kam pasur kontakt me ta në asnjë lloj mënyrë,” tha ai në një konferencë për mediat.
Kujtojmë se Djukanovic po hetohet gjithashtu për zbulimet në “Pandora Papers” se ai dhe djali i tij Blazo kanë depozituar para në llogaritë offshore nëpërmjet një rrjeti të komplikuar kompanish në Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër, Ishujt Virgin , Panama dhe Gjibraltar.
/Priza.al/