Saimir Tahiri i përgjigjet SPAK-ut me rekurs, duke kërkuar pafajësinë e tij në Gjykatën e Lartë.
Ish-ministri i Brendshëm dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dorëzuan këtë të enjte ankimim kundër vendimit të dënimit me burg. Tahiri dhe Çela kërkojnë prishjen e vendimit të Apelit dhe shpalljen të pafajshëm nga akuzat për shpërdorim detyre.
Ishte SPAK dy ditë më parë që iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, duke kërkuar cilësimin e veprës penale “trafik droge në kuadër të grupit strukturuar kriminal”.
Po ashtu SPAK kërkoi nga kjo gjykatë kthimin e dosjes sërish për rigjykim në Apel me një trupë të re gjyqtarësh.Prokuroria shprehet se Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela duhet të gjenden fajtorë për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas akuzave të reja në rekurs, ata duhet të dënohen me nga 12 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu zbret në 8 vite.
Ish-ministri Saimir Tahiri u dënua me 3.4 vite burg nga Gjykata e Apelit për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi u provua lidhja e tij me kushërinjtë Moisi dhe Artan Habilaj, lidhje që më tej ka lehtësuar aktivitetin e grupit kriminal.