Takim me demokratët në Tiranë, dy mesazhet e forta të Lulzim Bashës

Kryedemokrati Lulzim Basha tha nga takimi me demokratët e degës 2 në Tiranë se kush mbështet Ramën ka dhe Berishën paketë. Ai deklaroi se e vetmja mënyrë për të kthyer shpresën e shqiptarëve, është për të rikthyer votën tek shqiptarët dhe përmes votës së shqiptarëve, një parlament legjitim, bashki legjitime, institucione legjitime, të cilat nuk i takojnë një politike me fytyrë çnjerëzore, por i takojnë gjithë qytetarëve shqiptarë.

Basha tha se kjo do të thotë të zgjedhim të ardhmen dhe se këtë e kanë kuptuar edhe ata që sot janë e shkuara, nga Edi Rama te Sali Berisha, te Ilir Meta e kushdo tjetër.

PJESË NGA MESAZHI I BASHËS

8 vjet janë mjaftueshëm, 8 vjet ka qeveria më e madhe dhe me e fuqishme e botes. Çfarë nuk e arrin dot për tetë vjet nuk e arrin më. Vetëm më keq do ta bësh, më mirë se bën dot! Fuqizimi i rolit të parlamentit dhe institucioneve të tjera të pavarura, çuarja ne fund e një reforme në drejtësi, por jo që çon në kapjen e drejtësisë dhe kthimin e saj në çirakë të pushtetit, por në pushtet të pavarur, që nuk i mbron, por i çon prapa hekurave politikanët e korruptuar dhe bosët e krimit. Një politikë me fytyrë njerëzore kalon përmes këtyre reformave dhe këto janë reformat për të cilat ne do të shtyjmë, duke nisur me reformën e gjithë reformave, që është kthimi i legjitimitetit dhe demokracisë në Shqipëri. 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. E vetmja mënyrë për të kthyer shpresën e shqiptarëve, është për të rikthyer votën tek shqiptarët dhe përmes votës së shqiptarëve, një parlament legjitim, bashki legjitime, institucione legjitime, të cilat nuk i takojnë një politike me fytyrë çnjerëzore, por i takojnë gjithë qytetarëve shqiptarë.

Kjo do të thotë të zgjedhim të ardhmen! Këtë e kanë kuptuar edhe ata që sot janë e shkuara, nga Edi Rama te Sali Berisha, te Ilir Meta e kushdo tjetër. Prandaj e them, sot ka një shpresë, një opozitë, partia demokratike e Shqipërisë. Dhe të gjithë këta të tjerët janë bërë bashkë, aq sa ç‘janë, për të mbrojtur interesat e pakicës. Një pakice absolute, që nuk përfaqëson më asnjë grup popullsie, as socialistët e ndershëm. Është kështu apo jo? Edhe socialistët e ndershëm, edhe ne zonën tuaj, janë jashtë këtij realiteti kriminal, ekonomik dhe politik, i cili zotërohet nga një grusht njerëzish. Kjo s’është demokraci! Kjo nuk është liri tregu, kjo nuk është liria, demokracia për të cilën u ngritëm përpara 32 vitesh. Por ky është kulmi i një virozë, e cila s’është e vërteta, shenjat filloi t’i jepte edhe kur ishim ne në pushtet.
Të themi të vërtetën! Por që kulmoi me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, me mënyrën dhe mjetet me të cilat erdhi në pushtet, se si e kapi pushtetin, si e ktheu të gjithin në shërbim të vetes së tij, për ta konsumuar ai dhe miqtë e tij, deri sa arriti në atë pikë saqë nuk i dridhet qerpiku, për të marrë avionin charter 120-150 mijë euro për një ditë, për të shkuar diku, pa i thënë asgjë shqiptarëve, ku me ato para paguhet ndihma ekonomike e një qyteti mesatar në Shqipëri për një muaj.

Këtu ka arritur niveli i mos-llogaridhënies, i mungesës së transparencës në Shqipëri. Por njësoj si para 32 vjetësh, ka një shpresë! Dhe për fat të mirë kjo shpresë është prapë Partia Demokratike, për fat të mirë, të vendimeve të marra dhe të mbështetura nga demokratët masivisht, si në institucionet legjitime të partisë demokratike, në kuvendin kombëtar, dhe kudo që shkoj i takoj, ne kemi zgjedhur të ardhmen dhe do të ecim në rrugën e të ardhmes, me vullnetin e shumicës së shqiptarëve dhe me në krah aleatët tanë strategjik.

SHBA, me Bashkimin Evropian, që janë kyçi, për t’i shndërruar planet tona dhe vullneti i shumicës së shqiptarëve, kthimi i lirisë së votës dhe pasja ne krah e aleatëve strategjik, njësoj siç ishin parakushte për të rrëzuar diktaturën komuniste, janë sot parakushte për të rrëzuar tiraninë e pakicës së korruptuar.

Dhe së fundmi dy mesazhe.

U përmendën disa që na mungojnë. Ndahen në dy grupe; një pakicë përfituesish, që nuk kanë ndërmend të vijnë këtu, sepse e dinë që se kanë vendin këtu, sepse nuk iu shohin dot në sy, as ju, as ata që përfaqësoni ju. Po them të vërtetën apo jo? Pse s’iu shohin dot në sy? Sepse kanë shkelur mbi sakrificat tuaja, kanë shkelur mbi djersën tuaj, si në opozitë, ashtu dhe në pushtet. Ka dhe të tjerë, të cilët janë manipuluar, në veçanti për shkak të ndjeshmërie, që ka pasur pas masakrës zgjedhore të 25 prillit. Për ta, sikundër për shtimin e radhëve tona, me shumë qytetarë e qytetarë, që e kanë ndjerë veten pranë partisë demokratike, por për një arsye apo për një tjetër, por dhe për arsye që tani janë bërë të ditura, se kanë hedhur hapin, dora jonë mbetet e shtrirë. E tillë është dora ime, e tillë është dora e gjithsecilit prej jush, e shtrirë ndaj demokratëve të sakrificës, ndaj demokratëve që duan të jenë pjesë e betejës për të ardhmen! Në emër të së ardhmes dhe jo për të shkuarën, e as në emër të së shkuarës.

Duke mos harruar asnjë çast, misionin që kemi mbi supe: Përballje e përditshme me të keqen dhe regjimin e Edi Ramës dhe ofrimin e kthimin në realitet të vizionit tonë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një Shqipërie normale, të zhvilluar, evropianë!
Ju faleminderit!

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *