Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është takuar këtë pasdite me përfaqësuesit e organizatave të biznesit dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Fokus i këtij takimi ka qenë kërkesat bizneseve lidhur me energjinë elektrike, ku Balluku theksoi se qeveria do të jetë në krah të sipërmarrjeve të cilat nxisin zhvillimin ekonomik e punësimin në vend.
Sakaq shtoi se qeveria do të përpiqet të mbrojë me çdo çmim edhe sipërmarrjet nga kriza ekonomike.
“Ndodhemi në një moment të vështirë, do mundohemi t’i japim zgjidhje. Nuk është moment për preferenca politike, do mundohemi t’i mbrojmë qytetarët tanë. Jemi duke analizuar kërkesën e bizneseve në lidhje me çmimin e energjisë elektrike. Nuk mund të jap asnjë përgjigje sot. Përgjegjësia jonë është e madhe por kemi kufizim financiar. Viti i ardhë3shëm do të jetë akoma më i vështirë ndaj na duhet buxhet. Ne do marrim parasysh kërkesat e gjithsecilit”, tha ndër të tjera Balluku.