Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan, Joe Biden do të mbajë i vetëm një konferencë për media, pas takimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Dy liderët pritet të takohen më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.
Tensionet mes dy vendeve kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit dhe paraqitja e Bidenit në konferencë, pa Putinin, po shihet si një tregues i këtyre raporteve. Një zyrtar i administratës amerikane, që nuk deshi të identifikohej, tha se Biden, duke u paraqitur vetëm, do të ketë mundësi që përmes “një formati të duhur të komunikojë qartë me median lidhur me temat që janë diskutuar në takim”.
Kjo mënyrë e komunikimit gjithashtu thekson dëshirën e administratës amerikane për të sfiduar Kremlinin dhe për të shmangur një lloj shfaqjeje komode me liderin rus, për të cilin Biden ka thënë se është “një vrasës”. Ajo gjithashtu dallon shumë me paraqitjen pas takimit të Putinit me paraardhësin e Bidenit, Donald Trump, në Helsinki më 2018. Pas atyre bisedimeve me dyer të mbyllura, Trump doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me Putinin, duke mbrojtur Rusinë pas vlerësimeve të inteligjencës amerikane se Moska ndërhyri në zgjedhjet presidenciale më 2016.
Biden gjendet në Kornuall të Mbretërisë së Bashkuar ku po merr pjesë në një samit me udhëheqës të tjerë të G7-ës. që do të përfshijë bisedime për Rusinë dhe Kinën Ai më pas shkon në Bruksel për takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO. “Ne presim që ky takim të jetë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë,” tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. Biden fajëson Rusinë për sulmin kibernetik ndaj institucioneve amerikane dhe të paktën strehimin e kriminelëve që qëndrojnë prapa sulmeve kundër tubacionit kryesor të karburantit në SHBA dhe degës amerikane të fabrikës braziliane për përpunimin e mishit – JBS.
/Marrë nga Reuters/