Ambasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur takimin e ambasadores Yuri Kim me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike.
Me anë të një reagimi në rrjete sociale, Ambasada shkruan se Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim për kërcënimin serioz të financimeve të fshehta të politikës ruse. Më tej në postim shkruhet se SHBA do të vazhdojë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve.
“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”, shkruan ambasada.
Më herët në një dalje për mediat, reagoi edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cila theksoi se në takimin me ambasadoren Kim kanë diskutuar për raportin e SHBA në lidhje me financimin e PD me 500 mijë dollarë nga Rusia dhe qëndrimin larg influencave ruse dhe kineze.