Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është takuar sot me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në takim të pranishëm ishin edhe sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, si dhe kreun e grupit parlamentar të PL Petrit Vasili.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Berisha shkruan se palët diskutuan gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve “për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës”.
“Sot, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të PD z. Flamur Noka, zhvilluam një takim me kryetarin e Partisë së Lirisë, ish Presidentin Ilir Meta dhe deputetin e kësaj partie, Dr. Petrit Vasili.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës. Bashkëpunimi elektoral, parlamentar dhe në të gjitha fushat ishin çështje për të cilat u diskutua me frymë të plotë mirëkuptimi”, shkruan Berisha.