Opinioni ndërkombëtar duket se ka pësuar një zhvendosje të madhe kundër Rusisë, ndërsa një numër vendesh, të njohura për qëndrime neutrale, po i bashkohen Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, për të dënuar Moskën lidhur me luftën në Ukrainë, si dhe kërcënimin që ajo po i bën parimeve te rendit ndërkombëtar.
Zyrtarët perëndimorë kanë thënë vazhdimisht se Rusia është izoluar që nga fillimi i sulmit në muajin shkurt. Megjithatë, deri vonë, më shumë sesa fakt, kjo dukej të ishte një dëshirë. Por gjatë kësaj jave, pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar foli kundër luftës, në një shfaqje të rrallë uniteti në Kombet e Bashkuara, një organizëm që pasqyron shpesh ndarje mes anëtarëve të saj.
Opinioni ndërkombëtar duket se ishte kundër presidentit rus Vladimir Putin edhe para fjalimeve të së enjtes në OKB. Udhëheqësit e Kinës dhe Indisë shfaqën kritika ndaj luftës gjatë një takimi të nivelit të lartë javën e kaluar në Uzbekistan. Po kështu Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpërfilli kundërshtimet e Rusisë dhe votoi me shumicë dërrmuese për të lejuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy të ishte i vetmi udhëheqës që do t’i drejtohej këtij organizmi në distancë, e jo të paraqitej fizikisht.
Ky ndryshim i qëndrimit ndaj Rusisë u përforcua pasi presidenti rus njoftoi të mërkurën mobilizimin e rreth 300,000 trupave shtesë për të luftuar në Ukrainë, duke zbehur shpresat për një fund të shpejtë të konfliktit. Ai sugjeroi gjithashtu dhe mundësinë e përdorimit të armës bërthamore. Këto zhvillimet pasuan njoftimet për mbajtjen e referendumeve për pavarësi në disa rajone të pushtuara të Ukrainës, me synim aneksimin e mundshëm të tyre nga Rusia.
Gjatë asamblesë së përgjithshme të OKB-së, udhëheqës të shumtë botërorë, përdorën fjalimet për të denoncuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Kjo prirje vazhdoi si në sallën e asamblesë, ashtu edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që zakonisht shfaq ndarje të thella mes anëtarëve. Pothuajse të 15 anëtarët e këtij këshilli kritikuan ashpër Rusinë, për përkeqësimin e disa prej kriza të rënda globale, duke rrezikuar themelet e rendit botëror.
Ndryshimi i dukshëm i opinionit për luftën e Rusisë, ofron njëfarë shprese për Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë, se rritja e izolimit do të rrisë trysninë mbi Vladimir Putinin, për të negociuar një marrëveshje për paqe. Por pak janë tejet optimistë. Me luftën në Ukrainë presidenti rus ka vënë në rrezik trashëgiminë e tij, ndaj pak presin që ai të tërhiqet. Po kështu pavarësisht zhvillimeve të fundit, Rusia vështirë të shihet si e izoluar. Shumë nga aleatët e saj, varen nga Moska për energji, produkte ushqimore dhe ndihmë ushtarake, ndaj dhe ka të ngjarë të qëndrojnë pranë Vladimir Putinit, pavarësisht se çfarë ndodh në Ukrainë./voa