Takimi i qeverisë në Shëngjin, Rama përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme!

Mbledhja informale e qeverisë në Lezhë vijon prej orës 10:00, ku kryeministri Edi Rama ka mbledhur bashkë me ministrat, drejtorë, deputetë e përfaqësues të Partisë Socialiste për t’u shpalosur objektivat e 2024. Mbledhja ka nisur me fjalimin e kreut të qeverisë, ku burime për Report Tv bëjnë me dije se në këtë takim Rama ka përjashtuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Rama e hapi mbledhjen me prioritetet të këtij viti, si edhe ka bërë një rezyme të punës për vitin që lamë pas. Më pas mbledhja ka vijuar me fjalimin e sekretarit të Përgjithshëm, Blendi Klosi, i cili foli për riorganizimin e PS, si dhe kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi që fokusin e fjalës së tij e vendosi tek sfida që maxhoranca në Kuvend.

Ndërkohë, ministrat po analizojnë punën dhe projektet që do të zbatohen gjatë vitit 2024, ku në fokus do të jetë edhe rritja e performancës së administratës publike.

Në takimin dyditor informal të qeverisë, ku marrin pjesë rreth 70 funksionarë, surprizë ishte edhe pjesëmarrja e ministrit të ri, ndonëse ende i pa-dekretuar, ai i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, që do të drejtojë dikasterin e rëndësishëm të sapo formuar, që erdhi pas shkrirjes së Ministrisë së Kulturës, e rrjedhimisht largimit të Elva Margaritit. Edhe kjo e fundit është e pranishme në takim.

Mbledhja e qeverisë, përgjatë pasdites do të fokusohet pikërisht te inovacioni, shërbimet dhe ndarja e përgjegjësive për të pasuar të mërkurën, kur takimi informal do të mbyllet me prezantimin e konkluzioneve për secilën ministri.

Në takim janë edhe krerët e komisioneve parlamentare, zv.ministrat, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Po ashtu e pranishme është edhe drejtoresha e AKSHIT, Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e Kadastrës Dallëndyshe Bici, si edhe drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *