I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kështu konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ambasada amerikane në Shkup.
Në takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, blloku evropian pret që liderët të pajtohen për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiç ka shprehur qëndrimin se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.
Escobar, gjatë një konference për media në Beograd më 16 Mars, u bëri thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktivë dhe fleksibil gjatë takimit të Ohrit.
“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon”, tha zyrtari amerikan.
Propozimi, teksti i të cilit është bërë publik nga BE-ja, përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
Lajçak ka deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është kusht për zbatimin e propozimit evropian.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin – më 2013 dhe 2015 – por, kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.
SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që ta themelojë Asociacionin. Escobar tha në Beograd se formimi i Asociacionit është më afër sesa ishte një muaj më parë.
“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, deklaroi Escobar./REL