Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka zbardhur takimin që ka pasur këtë të mërkurë, 8 mars në selinë rozë me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri thotë se tema e diskutimit mes tyre ka qenë mbi zgjedhjet lokale të 14 majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral.
Gjiknuri thotë se “garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”.
Postimi i Plotë:
Pata kënaqësinë të mikprisja në selinë e Partisë Socialiste ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë zonjën Yuri Kim. Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit. E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krah të Shqipërisë në përpjekjen për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.