Krei i PD, Sali Berisha zhvilloi një takim me demokratët në qytetin e Lezhës ku prezantoi kandidatin e Primareve për zgjedhjet vendore në këtë qytet, Bardh Gjonin.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh i bindur se nuk do e ndalojë askush për të garuar në zgjedhjet e 14 majit. Më tej ai theksoi se kjo qeveri duhet të largohet një orë e më parë, për shkak të vjedhjeve të shumta të punëve publike.
“Mendojnë se do mund të mbajnë Shqipërinë si çifligun e tyre dhe të familjarëve të tyre. Mendojnë se do përzejnë edhe shqiptarin e fundit nga kjo tokë sepse mund t’i kundërshtojnë. Kjo fushatë ka mesazhin më të fuqishëm, ne jemi këtu dhe do fitojmë. Demokratë, qytetarë, sot Shqipëria nga ky regjim po shkretohen çdo ditë e më shumë. Shqipëria ka humbur në 8 vite, 1/3 e popullatës së saj. Në 8 vite, vetëm në hapësirën e BE-së janë larguar 937 mijë shqiptarë nga të cilët rreth 80% nën 30 vjeç. Kjo është politikë shkretëtimi, shpopullimi të shqiptarëve.
Ju që përdorni këtë politikë, do përfundoni në koshët e historisë. Ne, jemi të vendosur me 14 maj të firmosim ndryshimin shpëtimtar për Shqipërinë. Nuk ka forcë në botë që na pengon ne të marrim pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato. Shqipëria, Zoti dhe natyra i ka dhënë asaj pasuri përrallore natyrore si asnjë vend në rajon.
Sot në shumicën e familjeve shqiptare troket varfëria. Në një pjesë tjetër të tyre troket mjerimi. Të gjitha këto janë të qëllimshme. Uluni me çdo mik, çdo qytetarë, debatoni dhe shpjegojuani. Në 8 vite në pushtet, PD-ja duke rritur borxhin nga 58 në 62.6 %, arriti të dyfishojë rrogat e qytetarëve. Ai ishte qëllimi më madhor i saj. Sepse nëqoftëse qytetarët jetojnë më mirë, vendi bëhet më i dashur.
Vitin e kaluar vodhën 122 mld lekë me të cilën mund të rrisnin rrogat me 130%. Mund të rrisnin pensionet me 100%. Këta vjedhin në 8 vjet, 90% të çmimeve të punëve publike. Këta ndërtojnë autostradë në fushë me 24 milionë euro, ndërkohë që në botë ajo nuk kushton më shumë se 2-3 milionë euro. Këta blejnë vazo druri 4 milionë euro për të kënaqur sytë në oborrin e zyrës së tij, Edi Rama udhëton me avion, 22 milionë euro shpenzime udhëtimesh”, tha Berisha.