Takimi me Gabriel Escobar, diskutim për tensionet në veri të Kosovës, Kurti i uron shërim të shpejtë Cholletit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot për një takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin ka diskutuar lidhur me situatën e fundit të krijuar në veri, për dialogun Kosovë-Serbi dhe për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Siç njofton Kryeministria, takimi i sotëm ishte në kuadër të vizitës së paralajmëruar të Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili për shkak se rezultoi pozitiv me COVID-19 e pati të pamundur të realizojë vizitën e tij.

Në komunikatë thuhet se fillimisht kryeministri Kurti i ka uruar shërim dhe rikuperim të shpejtë të Chollet, teksa i ka shprehur mirëseardhje Escobarit.

“U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë. Në takim gjithashtu u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në fund.

Ndërkaq, Escobar, pas takimit, nuk ka dhënë detaje lidhur me bisedën që e kanë pasur. Ai ka thënë se ky takim ishte në kuadër të takimeve të rregullta që kanë me kryeministrin Kurti.

a.m/dita

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *