Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po zhvillon sot një bashkëbisedim me qytetarët e Gjirokastrës, në kuadër të takimeve “Shqipëria në rrezik”.
Gjatë fjalës së tij në takim, Berisha u shpreh se arsyeja se pse qeveria Rama mori mandatin e tretë, është fakti se nuk u përball me përgjigjen e duhur nga PD. Më tej ai shtoi se sot Shqipëria gjendet në një sistem diktatorial që nuk ka kampe, por që burgos qytetarët për një gardh dhe i heq nga puna për bindjet e tyre politike.
Ndërkohë, duke folur në takim, ku po sulmonte qeverinë Rama, papritur ikin dritat, ndërsa Berisha nuk i kurseu batutat. Ai tha mes errësirës se qeveria ka frikë nga fjala e lirë.
“Sot, unë jam këtu për të dëgjuar zërin tuaj, për të diskutuar me ju, por edhe për të kërkuar nga ju, nga mbarë demokratët dhe demokratet e këtij qyteti, nga PD-ja, një shumëfishim të përpjekjeve tona, për të përmbushur misionin e rëndësishëm, misionin jetik që ne kemi sot, si demokrate e demokratë. Mision në një kohë kritike.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se fakti që ne ndodhemi në mandatin e tretë të një qeverie që kalon nga skandali në skandal, në një mënyrë ose në një tjetër, na bën përgjegjës dhe ne. Në një mënyrë ose tjetër na vë para një përgjegjësie të madhe shoqërore dhe kombëtare. Ndaj dhe apeli, kushtrimi i thellë i yni sot është, të bëjmë gjithçka si forcë politike për ndryshimin. Të bëjmë gjithçka për realizëm, që në çdo akt dhe veprim tonë të jemi të vërtetë, real.
Terri është kriteri i kësaj qeverie. Errësira. Nuk rrinë dot këta pa përdorur metodat e vjetra. Janë sekt i veçantë. E kanë këta, kanë frikë nga fjala. Ju them një gjë se kur ju ka hyrë frika nga fjala, janë të pashpresë. Do humbin, do humbasin. Duhet të punojmë shumë”, tha Berisha.