Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me kandidatët për deputetë të partisë që drejton. Gjatë takimit, Basha ka thënë se gjatë zgjedhjeve të 25 prillit, PD-ja ka sjellë një fitore të madhe, pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë të kryer nga Rama-Doshi.
Basha është shprehur se ai do të vijojë me daljet në terren, do të takojë njerëzit për t’i falenderuar e për të biseduar me ta. Këtë gjë, ua ka sugjeruar edhe kandidatëve që ta bëjnë.
“Dua të falenderoj secilin nga ju. Ju keni punuar shumë fort me besimin e palëkundur në rrugën tonë, në demokracinë tonë, në vendin tonë. Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë të kryer nga Rama-Doshi, ne sollëm një arritje të madhe për partinë tonë dhe për vendin tonë. Ne, pa hequr dorë nga vlerat tona, u bëmë më të fortë kudo. Tani do të luftojmë me të gjitha fuqinë tonë derisa në fitore. Fushata jonë nuk ka mbaruar, ajo vazhdon me energji maksimale. Unë do takoj njerëzit në terren, për t’i falënderuar, për të biseduar me ta, për t’i dëgjuar, duke ju kërkoj që edhe ju të bëni të njëjtën gjë në ditët në vijim. Së bashku do të fitojmë!”- mësohet të ketë thënë Basha.