Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi ditën e sotme një takim me krerët e opozitës, ku u diskutua lidhur me situatën në veri të Kosovës.
Të pranishëm në takim ishin kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Teksa komentoi deklarëtn e kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku, se qeveria nuk ka plan për çështjen e veriut, Kurti tha se kjo nuk është e vërtetë.
Ai tha se qeveria e ka një plan dhe rruga e tyre është rrugë e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave.
Komentet për takimin me liderët e opozitës Kurti i bëri në një takim që zhvilloi në kuadër të “Javës së Regjistrimit të Popullsisë 2023”.
“Takimi që pata sot në mëngjes me krerët opozitar ishte takim shumë i mirë, ishte takim njoftues për situatën politike dhe të sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz. Tash përshtypja ime është se krerët opozitar janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues”, tha Kurti.
Sa i përket largimit të Haradinajt nga takimi, Kurti tha se nuk e komenton pasi këtë punë ua ka lënë analistëve. Kreu i ekzekutivit tha se nuk ka asnjë krisje në raportet mes Kosovës dhe aletëve të saj Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Koordinimi, komunikimi, kontaktet me QUINT-in, BE, ShBA-në, NATO-n, KFOR-in, EULEX-in, janë të vazhdueshme ndodhin nga disa herë në ditë andaj nuk është e vërtetë se ka kurrfarë cënimi të raporteve, përkundrazi ka dendësi të komunikimit e të bashkërendimit. Ndërkaq, për atë se kush sillet nuk mendoj se duhet t’i lë pa punë analistët në debatet e mbrëmjes”, theksoi ai.
Teksa komentoi deklarëtn e kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku se qeveria nuk ka plan për çështjen e veriut, Kurti tha se kjo nuk është e vërtetë. Sipas tij rruga e tyre është rrugë e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave.
“Nuk është e vërtetë që nuk dimë ne se çfarë rruge jemi duke shkuar, rruga jonë është rrugë e ligjshmërisë, e kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave, është rrugë e paqes dhe sigurisë e cila bëhet në përputhje me mandatin tonë, me vullnetin e popullit dhe bashkërendim me miqtë, aleatët dhe partnerët tanë perëndimor…. Plani i veprimit është plan i organeve tona të sigurisë dhe ato bëjnë vlerësime mbi veprimet dhe reagimet që ne bëjmë. Gjithçka është duke shkuar sipas ligjit, sipas procedurave dhe rregullave në respektim të kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se me krerët e partive opozitare gjatë takimit që zhvilloi sot diskutuan edhe për procesin e dialogut me Serbinë. Kurti shtoi se sa herë do të jetë e nevojshme ai do t’i ftoj rregullisht krerët e partive opozitare, dhe do të jetë në dorën e tyre nëse do të shkojnë në takime apo jo.
“Kemi biseduar edhe për procesin e bisedimeve që po zhvillohet në Bruksel dhe dialogun i cili do të jetë gjithmonë parimor dhe simetrik, dhe gjithashtu për idetë, opsionet, modelet me të cilën testohen palët, por në të njëjtën kohë edhe përpiqen faktorët ndërkombëtar që të arrijmë deri tek marrëveshja finale e cila duhet të jetë për normalizim të plotë e me njohje reciproke në qendër. Unë do t’i ftoj rregullisht sa herë mundemi e ka nevojë, është në dorën e tyre të vijnë ose jo, nuk është e vërtet se në këtë takim ka qenë sikur takimet që zhvillohen publikisht e para mediave, përkundrazi ka qenë bashkëbisedim i hapur dhe serioz”, tha Kurti.
Kujtojmë se tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës janë kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Gjithçka nisi pasi qeveria filloi të zbatojë planin me tre faza për regjistrimin e makinave me targa serbe në Republikën e Kosovës, që pritet të përfundojë më 21 prill.
Zyrtarët serbë në veri dorëzuan uniformat dhe u tërhoqën nga pozicionet e punës. Gjithashtu edhe deputetët e Listës Serbë dorëzuan mandatet në Kuvend. Kjo situatë është parë me shqetësim në Perëndim, ku vende të ndryshme i kanë kërkuar Kosovës që të bëjë një hap pas dhe të plotësojë kërkesat për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por edhe të shtyjë në kohë çështjen e targave.