Presidenti i vendit Bajram Begaj ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me homologun austriak Alexander Van der Bellen.
Kreu i shtetit tha se Shqipëria dhe Austria kanë një partneritet të një rëndësie të veçantë dhe vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Begaj falënderoi Austrinë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për rrugëtimit europian.
“Biseda kishte në vëmendje çështjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, i përcolla vlerësimin për gjithë mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin europian, mbështetja ekonomike, politike e mbështetja për reformën në drejtësi. Kjo vizitë është një dëshmi e angazhimit serioz të Austrisë së procesit integrues të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. E informova mikun për përparimin e bërë në reformat e integrimit europian dhe rezultatet konkrete në këtë drejtim. E sigurova që Shqipëria mbetet dedikuar në të gjitha nivelet për rezultate të reformën në drejtësi. E falënderova për mbështetjen e plotë që Austria i ka dhënë Kosovës, liberalizmin e vizave dhe dialogun Kosovë serbi. Rikonfirmuam qëndrimet e vendeve për dënimin e këtij agresioni të paprovokuar dhe mbështetjen e palëkundur ndaj popullit ukrainas dhe integritetin territorial të saj” – tha ndër të tjera Begaj.
FJALA E PLOTË E PRESIDENTIT BEGAJ
Mirëdita!
Është kënaqësi e veçantë të mirëpres Presidentin e Austrisë, Van der Bellen, në këtë vizitë të parë të tijën në Shqipëri.
I dashur Aleksandër, edhe një herë, mirëseerdhe!
Me Presidentin Van der Bellen zhvilluam një takim shumë miqësor dhe të përzemërt. Kjo vizitë është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë. Për ne, marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një rëndësie të veçantë. Austria është një partner dhe mik historik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ndamë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-austriake përjetojnë një klimë shumë të mirë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi dhe se dialogu politik ndërmjet dy vendeve është intensifikuar, përfshirë shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë.
Shprehëm gjithashtu vullnetin dhe gatishmërinë ta intensifikojmë këtë bashkëpunim.
I shpreha Presidentit Van der Bellen vlerësimin për kontributin e tij të veçantë në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, në të gjitha dimensionet.
Gjatë takimit, biseduam për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit, duke ndarë vlerësimin pozitiv për arritjet dhe duke inkurajuar nxitjen në të gjitha fushat e mundshme me interes të ndërsjellë.
Ndamë bindjen se ekzistojnë mundësi të shumta për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve.
Biseda jonë, natyrisht, kishte në vëmendje çështjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë. I përcolla Presidentit Van der Bellen vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ku përfshihet mbështetja politike, ekonomike, infrastrukturore e mbi të gjitha mbështetja për reformën në drejtësi.
Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm aktiv në mbështetjen e perspektivës evropiane të Shqipërisë; veçanërisht për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, e cila përfaqëson një hap të rendësishëm në kuadrin e avancimit të bisedimeve për integrim europian midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, kjo vizitë është gjithashtu, një dëshmi e mëtejshme e angazhimit serioz të Austrisë në proceset integruese të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, si një vend me lidhje të shumta me këtë rajon, me vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm që rajoni ynë të jetë pjesë e familjes evropiane.
E informova mikun Van der Bellen për përparimin e bërë në zbatimin e reformave për integrimin evropian dhe të rezultateve konkrete në plotësimin e kritereve në këtë drejtim. I konfirmova atij vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar me ritme të shpejta angazhimin për të përmbushur të gjitha detyrimet, si një vend kandidat për anëtar në BE.
E sigurova që Shqipëria, mbetet e dedikuar në të gjitha nivelet për rezultate të dukshme të reformës në drejtësi. Brenda kompetencave kushtetuese mbetem tërësisht i angazhuar për mbështetjen e ecurisë së reformës në drejtësi,që të gjitha instucionet e larta të drejtësisë të arrijnë standartet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, që Shqipëria të forcojë shtetin e së drejtës garant të cilësisë së demokracisë, -një sistem drejtësie që gëzon besimin e plotë të shtetasve tanë dhe respekt ndërkombëtar.
I shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Austria i ka dhënë vendit tonë për reformën në sistemin e drejtësisë, në kuadër të programit EURALIUS. Nëpërmjet Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), Austria do të vazhdojë mbështetjen e këtij aktiviteti.
Shumë e rëndësishme është mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. E falenderova Presidentin Van der Bellen për mbështetjen e plotë që Austria i ka dhënë vazhdimisht Kosovës, si dhe për liberalizimin e vizave, si dhe së fundmi, për dialogun Kosovë – Serbi, kaq të rëndësishëm për paqen në rajon.
Agresioni Rus kundër Ukrainës, ka vënë në sprovë gjeopolitike, infrastrukturore e humanitare kontinentin tonë. Me Presidentin Van der Bellen rikonfirmuam qëndrimet e vendeve tona për dënimin e këtij agresioni të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër një vendi sovran dhe në mbështetjen e palëkundur për popullin ukrainas dhe të integritetit territorial të saj.
Theksova qëndrimin e vendosur të Shqipërisë, në rolin e saj si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por edhe në kuadër të organizatave të tjera ndërkombëtare, përkrah vendeve të njëmendëta progresiste, për të siguruar llogaridhënie për krimet ruse në Ukrainë.
Shfrytëzova rastin, ta falenderoj Presidentin Van der Bellen për mbështetjen e Austrisë për zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
E falenderova mikun tone dhe të shqipëtarëve, Presidentin Van der Bellen për ndihmën financiare afatgjatë të Qeverisë së Republikës së Austrisë përmes Strategjisë së Bashkëpunimit për Zhvillim të Përbashkët, e fokusuar në mbështetjen e reformave në arsimin profesional, qeverisjen e mire, në procesin e decentralizimit dhe mbështetjen për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian dhe promovimin rajonal.
Qeveria e republikës së Austrisë ka qenë një nga donatorët më të rëndësishëm që ka mbështetur ndër vite reformën e sistemit të arsimit dhe formimit profesional në vendin tonë dhe vazhdon të japë një kontribut mjaft cilësor.
Vlerësova praninë dhe kontributin e investitorëve austriakë në Shqipëri, në sektorë mjaft të rëndësishëm të ekonomisë me rendësi strategjike si në sektorin bankar, fushën e sigurimeve dhe në sektorin e energjisë si atë të rinovueshme ashtu dhe të energjisë hidrike.
Gjatë takimit, konfirmuam gatishmërinë për të përfocuar bashkëpunimin edhe në fushën e mbrojtjes, të rendit e sigurisë, përsa i përket sfidave në lidhje me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krimit kibernetik e trafiqeve të paligjshme.
Një aspekt tjetër i mbështetjes austriake që dëshiroj të përmend, është nisma për krijimin e njësisë së policisë alpine, si një nismë që ndikon një nga habitatet natyrore më të pasura të Shqipërisë dhe prek tema thelbësore si ambienti, dhe burimet natyrore.
Theksuam se Austria dhe Shqipëria janë partnere rajonale të një rendësie të veçantë, jo vetëm për shkak të historisë së kahershme, por dhe për shumë histori të reja që emigracioni shqiptar ka ndërtuar me sukses në Austri. Shqiptarët janë të mirëintegruar, falë meritave dhe suksesit të tyre sikundër dhe të politikave dashamirëse dhe mbështetëse të qeverisë së Republikës së Austrisë ndaj këtij emigracioni.
I nderuar Aleksandër, faleminderit edhe një herë për vizitën dhe diskutimin e frytshëm që patëm sot, fjala është për Ju.
Faleminderit!