Takimi me Vuçiç/ Kurti mbërrin në Ohër: Jam i interesuar për marrëveshje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mbërritur në Ohër, aty ku do të mbahet takimi i dytë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe zyrtarët e BE-së. Ai është shprehur optimist se marrëveshja do të arrihet.

“Jam i interesuar për një marrëveshje, po shkoj me vullnet të mirë, me qëllime të mira dhe besimin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. S’mund të ketë kapitullim të Serbisë në Ohër, pasi që kjo ka ndodhur tashmë në Kumanovë më 9 korrik, 1999”, ka thënë Kryeministri Kurti për Alsat.

Ai ka komentuar edhe deklaratat pesimiste të presidentit serb, Vuçiç.

“Dëgjova deklaratat se çdo marrëveshje në Ohër është e refuzuar apriori. Nuk mendoj se kjo është një qasje konstruktive. Unë nuk them që nëse nuk ka nënshkrim, atëherë kemi nënshkruar një mosmarrëveshje, por nuk mund të them që edhe pa nënshkrim mund të quhet marrëveshje e njëmendtë. E përsëris se do të jem i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe se do të shkoj me vullnet, qëllim dhe besim të mirë, por sigurisht që nuk mund t’ia garantoj marrëveshjen palës tjetër”, theksoi Albin Kurti.

Në takimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përveç delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë që do të takohen nën ndërmjetësimin e BE-së do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *