Sot po zhvillohet në sheshin ‘Skëndërbej’ fushata përmbyllëse e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit. Në fjalën e tij, kandidati i 19-të në Tiranë, Pandeli Majko përsëriti thirrjen e kryeministrit Edi Rama për opozitën për t’u bashkuar pas 25 prillit.
Majko tha ndër të tjera se qeverisja e ardhshme vjen jo si një shuplakë, por si një dorë e shtrirë për bashkëpunim për të bashkëqeverisur Shqipërinë.
“Jemi mbledhur sot me një mesazh të vetëm, na votoni, sepse duke votuar për numrin 12, votoni mekanizmin më të fuqishëm për të ndryshuar Shqipërinë dhe historinë e saj. Duke votuar 12-ën, ju bëni një shiringë kundër mikrobeve të së ardhmes në kutitë e votimit. Ju votoni për një tullë më shumë në shtëpitë e rindërtuara, për një shpresë më shumë në investime, që për të përndjekurit të vazhdojë dëmshpërblimi, që për ushtarakët të rifillojë shpresa, që për pensionistët të rriten pensionet.
Këto nuk janë vetëm fjalë, por janë dy mandate, të cilat ne i kemi hedhur si skeletet e banesave dhe tani ka ardhur momenti që të gjithë bashkë, në aleancën më të madhe, në aleancën me qytetarët, dhe me dorën drejtuar karshi kundërshtarëve tanë, sepse data 25 nuk do të ketë vetëm fitimtarë numrin 12, por dhe ata që do të jenë humbës. Ne mendojmë se Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, ndaj qeverisja e ardhshme nuk vjen si një shuplakë, por si një dorë e shtrirë për bashkëpunim, për të bashkëqeverisur Shqipërinë. Opozita duhet të dijë të kthehet brenda në sistem, boll i shëtiti rrugët, tani ka ardhur koha që së bashku t’i përvishemi punës. Ju them, na votoni, sepse do të ndryshojmë”, tha Majko.