Talebanët e ardhur në pushtet pas tërheqjes së SHBA-ve nga Afganistani pretendojnë se kanë ndryshuar. Ata thonë se duan marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe vendet e tjera.
Në një intervistë me Associated Press, ministri i Jashtëm afgan, Amir Khan Muttaqi, shprehet se i ka kërkuar Uashingtonit dhe vendeve të tjera të lirojnë më shumë se 10 miliardë dollarë fonde, të ngrira qëkur talebanët morën pushtetin më 15 gusht, pas shtrirjes së shpejtë ushtarake në të gjithë Afganistanin dhe arratisjes së papritur të presidentit të mbështetur nga SHBA-ja, Ashraf Ghani.
“Sanksionet nuk do të sillnin asnjë përfitim”
“Sanksionet kundër Afganistanit nuk do të sillnin asnjë përfitim“, thotë Muttaqi.
“Një Afganistan i paqëndrueshëm ose një qeveri të dobët afgane nuk është në interesin e askujt”, tha Muttaqi, ndihmësit e të cilit përfshijnë punonjës të qeverisë së mëparshme, si dhe të rekrutuar nga radhët e talebanëve.
Muttaqi pranoi zemërimin e botës ndaj kufizimeve të vendosura nga talibanët për arsimimin e vajzave dhe për gratë në fuqinë punëtore. Në shumë pjesë të Afganistanit, nxënëset e shkollave të mesme nga klasa e shtatë deri në 12 nuk janë lejuar të shkojnë në shkollë që kur talebanët morën pushtetin, dhe shumë nëpunësve civile femra u është thënë të qëndrojnë në shtëpi. Zyrtarët talebanë kanë thënë se u duhet riorganizuar mbi baza gjinore, sipas interpretimit që ata kanë për islamin.
Gjatë viteve 1996-2001, kur drejtuan vendin, talebanët u hoqën grave të vajzave të drejtën për t’u arsimuar dhe për të punuar, ndaluan shumicën e argëtimeve dhe sporteve dhe herë pas here kryen ekzekutime para turmave të mëdha në stadiume sportive.
“Kemi ndryshuar”
Por Muttaqi tha se talebanët kanë ndryshuar që nga sundimi i fundit.
“Ne kemi bërë progres në administratë dhe në politikë … në ndërveprim me kombin dhe botën. Çdo ditë që kalon ne do të fitojmë më shumë përvojë dhe do të bëjmë më shumë përparim”, tha ai.
Muttaqi tha se nën qeverinë e re të talebanëve, vajzat do të shkojnë në shkollë deri në klasën e 12-të në 10 nga 34 provincat e vendit, shkollat dhe universitetet private po funksionojnë pa pengesë dhe 100% e grave që kishin punuar më parë në sektorin e shëndetësisë janë kthyer në punë. “Kjo tregon se ne jemi të përkushtuar në parim për pjesëmarrjen e grave,” tha ai.
Sipas tij, talebanët kanë shpallur amnisti të përgjithshme ndaj kundërshtarëve, madje u kanë ofruar njëfarë mbrojtjeje. “Udhëheqësit e qeverisë së mëparshme jetojnë pa kërcënim në Kabul”, tha ai, megjithëse shumica janë larguar.
Në nëntor, Human Rights Watch publikoi një raport sipas të cilit talebanët vranë ose zhdukën me forcë më shumë se 100 ish-zyrtarë të policisë dhe inteligjencës në katër provinca.
Muttaqi akuzon qeverinë e mëparshme se është hakmarrë ndaj talebanëve në fillesat e saj në vitin 2001. “Qindra u zhdukën ose u vranë dhe mijëra të tjerë u arratisën në male”, tha ai.
/Priza.al/